Për të marrë pjesë në demokraci, nxënësit duhet të mësojnë si të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre, për shembull, të drejtën për informacion, për mendim të lirë dhe për ta shprehuar atë lirisht. Atyre duhet t’u mundësohet bashkëveprimi aktiv me të tjerët, si zhvillimi i interesave të tyre, marrëveshjet për kompromise ose për të përcaktuar çfarë kuptojnë me “mirëqënien e përgjithshme” (DUDNJ, neni 29). Nxënësit duhet të jenë të aftë të veprojnë në përputhje me ligjet dhe të pranojnë kufizimet që mund t’u diktohen prej tyre. Ata duhet të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë për mirëqënien e të tjerëve dhe të komunitetit në tërësi.
Me pak fjalë, ata jo vetëm duhet të kuptojnë lidhjen ndërmjet tre neneve të të drejtave të njeriut të trajtuar më sipër, por edhe të vlerësojnë vlerat që qëndrojnë në themel të tyre e të veprojnë në përputhje me to. Në këtë mënyrë, përmes proceseve demokratike të vendimmarrjes, që nuk shkelin të drejtat e njeriut, ata duhet të aftësohen të harmonizojnë interesat e tyre me ato të të tjeëve dhe komunitetit.
Nxënësit e trajnuar në këtë mënyrë, do të dinë edhe si të marrin pjesë në demokraci. Kjo është përmasa e EQD/EDNJ që lidhet me veprimin – të mësuarit “për” demokraci dhe të drejtat e njeriut, d.m.th. për mbrojtjen dhe zhvillimin e demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut.