Ju po lexoni Vëllimin I
Edukimi për demokraci

3. Kompetencat nëEQD/EDNJ


3.1 “Unë dëshiroj që nxënësit e mi të jenë të aftë të…”

“Pasi ushtruam teknikën e prezantimit, unë do të dëshiroja që të gjithë nxënësit e mi të jenë të aftë t’i drejtohen klasës pa lexuar shënimet e tyre”.

“Pas gjashtë orë mësim, kushtuar bazave të kushtetutës, më e pakta që unë do të prisja nga nxënësit e mi është të jenë të aftë të shpjegojnë si funksionon sistemi ynë zgjedhor, cilat janë partitë që konkurrojnë aktualisht për qeverisje”.

“Para disa muajve, ne patem probleme me disa nxënës që  nuk pranonin të dëgjonin njëri-tjetrin në diskutime dhe i ndërprisnin ata me të cilët nuk ishin dakord. Ne biseduam shumë për të drejtën e lirisë së shprehjes dhe kjo zbatohet vetëm nëse ne të gjithë i trajtojmë të tjerët me respekt. Deri në fund të vitit shkollor, unë shpresoj që pjesa më e madhe e nxënësve ta kenë kuptuar këtë dhe të dinë si të sillen gjatë diskutimeve”.

Këta shembuj tregojnë çfarë ka në mendje një mësues i EQD/EDNJ kur planifikon mësimin:

Ai përcakton objektivat. Ai vendos çfarë duhet të jenë në gjëndje të bëjnënxënësit dhe çfarë ata mund të arrijnënëse përpiqen për këtë: ai vendos objektivat që dëshiron të arrihen nga nxënësit dhe, në vijim, merret me procesin e të mësuarit dhe me nevojat e të mësuarit të nxënësve të tij në pikën fillestare – vështirësitë dhe aftësitë e tyre, pikat e forta dhe të dobëta.

Kjo mënyrë të menduari  nuk është e re për mësuesit, madje është një praktikë e zakonshme për ta. Pjesa më e madhe e mësuesve jo vetëm mendon për temën dhe lëndën –“Unë duhet të përfundoj shekullin e 19-të, përpara pushimeve” –por edhe për rezultatet që ata presin prej nxënësve të tyre.

Objektivat që përqendrohen te nxënësit dhe  për çfarë ata duhet të aftësohen ka lidhje me kompetencat e nxënësit. Pas shkollimit, të gjithë nxënësve do t’u duhet të zgjidhin problemet e jetës pa pasur një mësues, një trajner ose një monitor pranë tyre. Modeli tradicional i mësimdhënies –ofrimi i një grupi solid njohurish, nuk i ndihmon shumëata të bëhen të pavarur, besimplotë dhe kompetent në të gjitha përmasat e aftësive, vlerave dhe qëndrimeve.

Tri shembujt e mësipërm vënë në dukje ndryshimet që ekzistojnë në tri përmasat e zhvillimit të kompetencës:

  • E para – vendosja e kontaktit pamor me audiencën dhe të folurit lirisht – këto aftësi nuk lidhen me një përmbajtje specifike, por ofrojnë mjetet që nxënësit i duhen gjatë gjithë jetës për të përdorur çdo njohuri ose informacion. Kjo ka të bëjë me trajnimin e aftësive “për” qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriut – për të aftësuar nxënësit të ushtrojnë të drejtat e njeriut dhe të marrin pjesë në demokraci.
  • E dyta–njohja dhe të kuptuarit e bazave të sistemit zgjedhor, e fituesit të zgjedhjeve të fundit dhe që, për këtë arsye, formoi qeverinë aktuale – përbën një“kazus” për të mësuar “rreth’ demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Të rinjtë duhet të dinë cilat prej tëdrejtavetë njeriut – për shembull, duke marrë pjesë në zgjedhje – janë integruar, si të drejta civile, në kushtetutën e vendit dhe cili është roli i votës së tyre në sistemin zgjedhor të vendit.
  • Së fundi- shembulli i fundit tregon rëndësinë  e vlerave dhe qëndrimeve. Demokracia mbështetet në një kulturë politike që formohet nga qëndrimet dhe vlerat e qytetarëve, në këtë rast, respekti i ndërsjellë dhe toleranca për pikëpamjet e kundërta me të tyret. Nxënësit duhet të kenë vullnetin  të pranojnë që të drejtat e tyre për liri kërkojnë  të merren  parasysh edhe të drejtat e të tjerëve. Pra, liria bart përgjegjësi. Një kulturë e të drejtave të njeriut pasqyron fuqizimin e nxënësve dhe të mësuesve të tyre, por edhe të kuptuarit e faktit që respektimi i të drejtave të të tjerëve kërkon nga ne përgjegjësi të ndërsjellë.  Vlerat  mësohen përmes përvojës  dhe  modeleve bindëse – mësimi “përmes” demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

3.2 Kompetencat–një përkufizim i përgjithshëm

Kompetencat lidhen me atë që një person është në gjendje të bëjë në tri aspekte që formojnë thelbin e identitetit të një personi:

  • Çfarë një person di dhe kupton.
  • Aftësitë që i japin mundësi një personi të përdorë njohuritë e tij.
  • Vetëdija dhe vlerësimi i njohurive dhe aftësive që një person zotëron, që shoqërohen nga vullneti për t’i përdorur ato me vetbesim dhe përgjegjësi.

 Aspekti i tretëështë shumë i rëndësishëm. Jo vetëm mësuesi duhet jo vetëm të dijë çfarë nxënësi është i aftë të bëjë, por edhe nxënësit. Ata duhet të dinë çfarë zotërojnë në kutinë e veglave mendore dhe për çfarë detyrash ose problemesh mund të përdoren ato. Mbi të gjitha, ata kanë nevojë për vetbesim për të pranuar rrezikun e dështimit në procesine të mësuarit gjatë gjithë jetës.


3.3 Si do t’i zbulojnë mësuesit kompetencat që zotërojnë nxënësit e tyre? Kompetenca dhe performanca

Kompetencat kanë të bëjnë me aftësitë dhe potencialin brenda nesh. Për këtë arsye ato janë të padukshme. Por, si do t’i zbulojnë mësuesit kompetencat që zotërojnë nxënësit e tyre?

Shembull.

Noem Çomski, gjuhëtar, përshkroi kompetencën gjuhësore të banorëve vendas. Këta banorë, që flasin gjuhën amtare, krijojnë në mënyrë të përhershme dhe kuptojnë fjali të cilat nuk i kanë folur ose dëgjuar më parë. Ne nuk mund të shohim kompetencën gjuhësore, por ne e dallojmë perfomancën e banorëve të tillë.  Ne duhet të marrim për të mirëqenë faktin që kompetenca për të komunikuar lirshëm është pjesë e qënësishme e saj.

Nuk ka kompetencë pa sjelljen e vëzhgueshme, por nuk ka asnjë veprim pa kompetenca. Mësuesi vlerëson zhvillimin e kompetencës së nxënësve të tij, duke gjykuar nga përformanca e tyre – çfarë ata janë në gjëndje të bëjnë. Të mësuarit që bazohet tek një detyrë e caktuar aftëson nxënësit të ushtrojnë kompetencat e tyre, ndërsa mësuesit i aftëson të vlerësojnë arritjet e të mësuarit të nxënësve  dhe të identifikojnë nevojat për të ardhmen. Kjo zbatohet jo vetëm në EQD/EDNJ, por në të gjithë procesin e të mësuarit.


3.4 Njëmodel i kompetencave të nxënësit nëEQD/EDNJ

Ne vlerësojmë zhvillimin e kompetencës së një nxënësi përmes vëshgimit të arritjeve të tij. Kompetencat janë të padukshme dhe ne mund të hyjmë tek to përmes modeleve që na ndihmojnë të përcaktojmë objektivat e të mësuarit dhe na udhëheqin në procesin e vlerësimit të arritjeve të të nxënit.

Në këtë botim të EQD/EDNJ ne kemi përshtatur  modelin e mëposhtëm të kompetencave. Ai  përputhet me parimet themelore të EQD/EDNJ – të mësuarit përmes, rreth dhe për demokraci dhe për të drejtat e njeriut.

Në kompetencat e nxënësit në fushën e EQD/EDNJ, bëjnë pjesë:

  • Analiza dhe gjykimi politik
  • Aftësitë (shih pjesën 3 të këtij vëllimi)
  • Ndërmarrja e veprimeve dhe pjesëmarrja politike;
  • Kompetencat personale dhe shoqërore.

3.4.1 Kompetenca e analizës dhe e gjykimit politik

Qytetaria demokratike kërkon nga qytetarët të kuptojnë çështjet në diskutim, të cilat kërkojnë qytetarë të mirinformuar dhe të aftë të analizojnë problemet dhe linjat e argumentit dhe konfliktit.  Kjo përbën përmasën njohëse të zhvillimit të kompetencës (të mësuarit rreth çështjeve politike).

 Pa këtë nivel të të kuptuarit, një qytetar do të ishte pre e lehtë e demagogjive, e lobistëve, e populistëve dhe nuk do të ishte në gjendje të identifikonte dhe të negocionte për interesat e tij individuale ose të grupit në të cilin bën pjesë. Ne varemi nga media, për një pjesë të madhe të informacioneve tona. Kjo kërkon nga ne të jemi të aftë ta përdorim këtë informacion në mënyrë kritike.

Ndërmarrja e veprimeve në fushën e politikës, si në çdo fushë të jetës,  bëhet e mundur vetëm nëse e dimë çfarë kërkojmë të arrijmë. Ne duhet të jemi të aftë të përcaktojmë interesat dhe objektivat tona, të harmonizojmë nevojat dhe dëshirat, vlerat dhe përjegjësitë. Procesi politik është njëproces vendimmarrjeje për të zgjidhur problemet dhe konfliktet; Ne nuk mund të shmganim marrjen e vendimeve dhe ato nuk merren pa procesin paraprak të gjykimit.  

Larmia, karakteri i ndërlikuar, dëndësia e problemeve të shoqërive të sotme priren të rëndojnë së tepërmi mbi aftësinë analitike dhe gjykimin e “qytetarit normal”. Personalizimi – besimi ose mobesimi ndaj drejtuesve politikë- është një ndër rrugët për ta thjeshtuar tablonë e ndërlikuar të botës dhe të problemeve të saj. Edukimi, jo vetëm në fushën e EQD/EDNJ, vlerësohet  thelbësor për të aftësuar qytetarët tëjenë gjithmonë  të informuar për vendimet që ndikojnë jetën e tyre.

3.4.2 Aftësitë

Nxënësit kanë nevojë për instrumente mendore – aftësi dhe teknika- për të marrë dhe për të përdorur informacion dhe për të formuar idetë e tyre në mënyrë të pavaruar dhe sistematike. Këto instrumente aftësojnë nxënësit:

  • të marrin informacion  nga media, nga përvoja e drejtpërdrejtë dhe nga kërkimet- teknikat e përdorimit të medies së shkruar dhe elektronike, intervistat, kërkimi, reflektimi etj.;
  • të përzgjedhin dhe të studiojnë informacionin (të mësuarit konstruktivist) – teknikat e planifikimit, menaxhimi i kohës, leximi, të menduarit, mbajtja e shënimeve etj.;
  • të përcaktojnë, të paraqesin, të ndajnë dhe të argumentojnë pikëpamje e tyre – teknikat e krijimit tëfletëve të punës, posterave, letrave, paraqitjes në Poëerpoint, leksionet, diskutimet, debati etj. (të mësuarit e përbashkët konstruktivist)
  • të reflektojnë për rezultatet dhe proceset e të mësuarit dhe zbatimit.

Këto aftësi, në shkallë të madhe, janë të nevojshme jo vetëm për EQD/EDNJ, por dhe për shkollën në tërësi. Ato i përgatitin  nxënësit për studime të përparuara akademike dhe për punë të kualifikuara. Trajnimet kroskurrikulare  të këtyre aftësive, të cilat nuk lidhen domosdoshmërisht me një përmbajtje të caktuar, janë sa të nevojshme aq edhe të mundshme.

3.4.3 Ndërmarrja e veprimit

Trajnimi i aftësive të përgjithshme në fushën e EQD/EDNJ mbështet të mësuarit për demokraci dhe për të drejtat e njeriut. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme. EQD/EDNJ e sheh shkollën si njëkomunitetnë të cilin nxënësit mësojnë si të marrin pjesë,praktikisht,në shoqëri dhe në politikë. Kompetencat që synohen të zhvillohen në shkollë përfshijnë:

  • reflektimin për dëshirat dhe nevojat dhe qartësimin dhe nxitjen e interesave;
  • votimin, marrjen pjesë në zgjedhje si votues dhe si kandidatë (përfaqësuesit e klasave);
  • negocimin dhe vendimmarrjen;
  • ndikimin në proceset e vendimmarrjes, përmes rritjes së vetëdijes, në grupet e interesit dhe në veprimin kolektiv;

ED/EDNJ në shkollë luan një rol vendimtar në sigurimin e shanseve të të mësuarit për nxënësit, për tëdhënë kontributin e tyre në komunitet. Megjithatë,  vlerësimi real  i arritjeve dhe  i zhvillimit të kompetencave të mësimpërme nuk mund të bëhet i plotë brenda shkollës.  Ai mundësohet përtej mureve të shkollës, në shoqëri dhe gjatë tërë jetës. Por, edhe në këtë kohë, është e vështirë, në mos e pamundur,  të lidhësh rezultatet e të mësuarit me mundësitë dhe kushtet e shkollës.

3.4.4 Kompetencat personale dhe shoqërore

Koncepti i kompetencës merr më shumë peshë se duhet kur shtrihet në përmasën e vlerave dhe qëndrimeve.  Nga ana tjetër, janë arritjet e nxënësve, mënyra si ata sillen ajo që ka rëndësi.  Edhe prirja për t’u sjellë në një mënyrë të caktuar mund të konsiderohet si kompetencë. Përmasa e zhvillimit të kompetencës përputhet me të mësuarit përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ajo përfshin:

 

  • vetëdijen dhe vetëvlerësimin;
  • empatinë;
  • respektin e ndërsjellë;
  • vlerësimin e nevojës për kompromis;
  • përgjegjësinë;
  • vlerësimin e të drejtave të njeriut si një grup vlerash të përbashkëta kolektive për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe kohezionin shoqëror.

3.5 Kompetencat e mësuesit nëEQD/EDNJ

Në fushën e EQD/EDNJ, mësuesit duhet të zotërojnë disa kompetenca të veçanta për t’u mundësuar nxënësve shanse të përshtatshme të mësuari. “Kutia” e instrumenteve për mësuesit  përfshin një mjet për të mbështetur mësuesit në përcaktimin e objektivave në bazë kompetencash në fushën e EQD/EDNJ, në përputhje me ato çfarë janë parashtruar deri tani. Për më tepër informacion, konsultohuni me botimin e Këshillit të Europës “Si  mund të mbështesin mësuesit edukimin për qytetari dhe të drejtat e njeriut: një kuadër për zhvillimin e kompetencave (Strasbourg 2009)