Të mësuarit në bazë detyre të afron me jetën e të rriturit; ne të gjithë duhet të përballojmë problemet dhe detyrat vetë, pa praninë e një mësuesi ose trajneri. Mësuesi duhet të kujdeset të mos cënojë shanset e mëdha të të mësuarit, duke ndërhyrë parakohe ose më tepër se duhet. Në këtë lloj të mësuari, mësuesi luan më shumë rolin e trajnerit se sa atë tradicional, të lektorit ose të mbikëqyrësit.
- Mësuesi vëzhgon si nxënësit menaxhojnë zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshen dhe nuk duhet të dorëzohet që me kërkesat e para tëtyre për t’u treguar zgjidhjen. Nëse e sheh të nevojshme, mësuesi mund t’u japë atyre sugjerime për të lehtësuar detyrën, pa harruar që nxënësit duhet të “vuajnë” disi për zgjidhjen, siç do të vuajnë në jetën e tyre reale.
- Mësuesi vëzhgon nxënësit në punë, me dy skenare vlerësimi në mendje: procesi i të mësuarit dhe arritjet në punë.19 Nxënësit në punë dorëzojnë materialet e papërpunuara për vlerësimin e nevojave të të mësuarit. Ndërsa nxënësit punojnë, mësuesi ndërmerr hapat e para për planifikimin e mësimeve të ardhshme të EQD/EDNJ.
- Mësuesi mund të ofrojë veten “për t’u përdorur” si burim informacioni me kërkesën e nxënësve, kur bëhet fjalë për shembull, për një pyetje që kërkon përgjigje të shpejtë. Në këtë rast, rolet përmbysen – nxënësit vendosin kur dhe për çfarë këkojnë ndërhyrjen e mësuesit të tyre.
19.Shih Pjesa 2, Njësia 5, Fletë pune 3: Këndvështrime dhe forma të vlerësimit, në këtë vëllim.