Ju po lexoni Vëllimin I
Edukimi për demokraci

2. Detyrat dhe pyetjet kryesore për kushtet e mësimdhënies dhe të nxënit.

2.1 Detyra

Në fillim të kësaj njësie ndodhen pyetjet kryesore. Pyetjet në vijim shërbejnë për vetëkontroll dhe ofrojnë një pamje më të detajuar të aspekteve të ndryshme të kushteve të të mësuarit. 

.


2.2 Pyetjet kryesore

  • Cilat janë njohuritë dhe aftësitë paraprake të nxënësve?
  • Cilat janë njohuritë dhe aftësitë e mia paraprake?
  • Cilat janë kushtet e jashtme për të cilat unë duhet të kem dijeni?
  • Cilat janë njohuritë e mia për nxënësit si individë?
  • Cilat janë elementet e njohurive dhe të informacionit që duhet të zotërojnë nxënësit, që shërbejnë për t’i aftësuar ata për detyrat e ardhshme?
  • Cilat janë informacionet, aftësitë dhe përvojat paraprake, në lidhje me lëndën e re mësimore, që zotërojnë nxënësit?  Çfarë është e re për ta, çfarë është përsëritje, çfarë është thelbësore dhe çfarë është plotësuese?
  • Cilat janë teknikat e punës dhe të mësuarit që unë pres të zotërohen nga  nxënësit dhe cilat janë përvojat e tyre në fushën e metodave të ndryshme të mësimdhënies dhe të ndërveprimit social?
  • Cilat janë qëndrimet, zakonet, paragjykimet ose bindjet pozitive ose negative që unë mund ose  shpresoj t’i ndesh në punën me nxënësit?
  • Si t’i kapërcej vështirësitë e të mësuarit, pengesat e të mësuarit dhe rezistencën ndaj të mësuarit?
  • A i kam marrë parasysh si duhet vullnetin e nxënësve për të mësuar, gjendjen e tyre emocionale, gatishmërinë, nevojat e të nxënit, shpresat e tyre, interesat e tyre, kohën e lirë dhe kushtet e jetesës?

2 - Fletë pune 1: Si të marr parasysh aftësitë dhe njohuritë e nxënësve?

  • Cilat janë kushtet dhe ndikimet social-kulturore dhe cilat janë sistemet mbështetëse që duhet të vlerësohen të rëndësishme për punën në klasë? Cili është roli që luajnë prindërit, vëllezërit dhe motrat, bashkëmoshatarët dhe individët e tjerë të rëndësishëm nga ana psikologjike për nxënësit
  • Çfarë di unë për klasën?
  • Cilat janë karakteristikat e klasës që duhet të marr parasysh dhe për të cilat duhet të veproj?
  • Si dëshiroj ose duhet të drejtoj klasën (komunikimi, sjellja shoqërore, marrëdhëniet problematike etj.)?
  • Cila është klima e klasës (zhvillimet në grup, lidhjet miqësore, të huajt etj.)?
  • Cilat janë marrëveshjet që duhet të bëhen në klasë (gjuha, detyrat, vendosja, rregullat e bashkëveprimit shoqëror, rastet e veçanta, ceremonitë dhe festat etj.)?
  • Cili është numri i nxënësve në klasë dhe cila është struktura e saj (gjinia, larmia kulturore etj.)?

2 - Fletë pune 2: Si të shfrytëzoj njohuritë dhe aftësitë e mia të mësimdhënies

  • Çfarë përvoje, njohuri dhe aftësi të përgjithshme zotëroj unë si mësues?
  • Në çfarë shkalle njohuritë e mia kanë nevojë të plotësohen, krahasuar me nevojat e përmbajtjes dhe lëndës, objektivave, metodave e përshtatshme të mësimdhënies dhe proceset e të mësuarit?
  • Në cilat fusha unë dëshiroj të mësoj e të plotësoj veten ( në fushën e njohurive, e metodave të mësimdhënies, të aftësive profesionale, të cilësive personale etj.)?
  • Cilin prej koncepteve të natyrës njerëzore unë kam zgjedhur si udhëzuesin tim të përgjithshëm?
  • Cili është kuadri teorik ose një variant i thjeshtuar i një teorie që udhëheq punën time si mësues?
  • Si mund ta përshkruaj dhe përkufizoj marrëdhënien time me nxënësit?
  • Cilat janë kufijtë e mi në lidhje me orët e punës, stresin etj. Si i shfrytëzoj unë aftësitë e mia personale për punë?
  • Si të pakësoj ngarkesën time të punës me anë të një planifikimi më të mirë të saj dhe të veprimtarive të tjera?
  • Si të përdor me efektshmëri kohën dhe si të merrem me burimet e stresit tim?

2 - Fletë pune 3: Marrja parasysh e kushteve të përgjithshme të mësimdhënies dhe të mësuarit

  •  Si e vlerësoj unë kohën ditore, vjetore dhe kohën e harxhuar?
  • Si është projektuar shkolla?
  • Si është pajisur shkolla: sasia dhe larmia e klasave, media në dispozicion, materialet etj.?
  • Cila është kuadri i kulturës së shkollës (projekte të përbashkëta për grupe nxënësish të moshave të ndryshme, punë në grup dhe detyrimet në grup, bashkëpunimi me prindërit, autoritetet ose ekspertët për fëmijët me nevoja të veçanta etj.)?

2 - Fletë pune 4: Cilat janë qëndrimet e mia ndaj nxënësve?

  • Empatia, përkushtimi (ndjeshmëria ndaj ndjenjave, mendimeve, pikëpamjeve, nevojave), pranimi, zemërgjerësia (vlerësimi personal nuk varet nga kushtet), sinqeriteti, qëndrueshmëria, besueshmëria.
  • Lidershipi në frymën e vlerësimit dhe respektit (përkushtimi emocional, arsyetim i bazuar në fakte, kontroll bindës, i mbështetur në njohuri, mbështetje e integrimit social dhe demokracia)
Marrëdhëniet dhe komunikimi në klasë
  • Të kuptuarit e ndërsjellë
  • Marrëdhënie të ndërsjella
  • Bashkë edukim jo diskriminues nga pikëpamja seksuale
  • I hapur për të takuar njerëz të tjerë
  • Miqësia
    • Komunikimi verbal dhe jo verbal
    • Pranimi i këndvështrimeve dhe pikëpamjeve të tjerëve
    • Perceptimi ndaj vetes dhe perceptimi nga të tjerët
Klima e parandalimit të konflikteve
  • Komunitet i paanshëm dhe i kujdesshëm, komunitet nxënësish, përgjegjësi të përbashkëta (mësues dhe nxënës, meshkuj dhe femra).
  • Bashkëpunim, jo konkurrim
  • Të mësuarit shoqëror
  • Rregulla dhe marrëveshje
  • Meta komunikim dhe meta ndërveprim
  • Kufizim dhe përforcim
Masa edukative
  • Biseda për zgjidhje konflikti
  • “Tryezë e rrumbullakët”
  • Lojëra
  • Bashkëveprimit si udhëheqje për ndryshimin e sjelljes personale
  • Vlerësim mbështetës
  • Përgjegjësi individuale
  • Ndëshkim
  • Trajtimi i ngacmimeve dhe i dhunës në klasë dhe shkollë.

 


2 - Fletë pune 5: Të rishikojmë disiplinën dhe rregullin nga një pikapamje demokratike

  • Rregulli është i domosdoshëm në të gjitha rrethanat. Një grup pa rregull dhe pa rregulla bazë nuk mund të jetë demokratik.
  • Kufizimet janë të nevojshme. Rregulla mund të jenë të gabuara ose jo të përshtatshme, por për sa kohë nuk janë zëvendësuar, ato duhen zbatuar. Megjithatë, duhet të  ekzistojë mundësia që ato të ndryshohen.
  • Që në fillim, fëmijët duhet të marrin pjesë në vendosjen e rregullave dhe në detyrimin për t’i zbatuar ato. Vetëm në këtë mënyrë, do të jetë e mundur të identifikojnë veten me to. 
  • Një komunitet klase nuk mund të funksionojë pa besimin dhe respektin e ndërsjellë. Në disa raste, mund të jetë e vështirë të krijohet një klimë e tillë.
  • Shpirti i ekipit duhet të zëvendësojë atë të konkurrencës.
  • Klima miqësore është jetësore për klasën.
  • Shprehitë sociale të mësuesit janë ndihmesë e rëndësishme për klimën e klasës (lidershipi demokratik, zhvillimi i ndjenjës së përkatësisë në grup, ndërtimi i marrëdhënieve etj.)
  • Komunikimi në grup është realitet i përhershëm i një klase të drejtuar në mënyrë demokratike.
  • Nxënësit, si djemtë dhe vajzat, duhet të nxiten të eksplorojnë diçka të re dhe të mësojnë nga gabimet.
  • Në klasë e në shkollë, brenda disa kufijve, duhet të ekzistojë mundësia  për të ushtruar liritë. Vetëm në këtë mënyrë, do të mund të zhvillohet edhe përgjegjësia individuale.
  • Disiplina dhe rregulli do  të pranohen dhe do të zbatohen me vullnetin më të mirë, nëse  ato do të ndihmojnë individin të shprehet lirisht dhe nëse ato mbështetin grupin në zhvillimin e marrëdhënieve  dhe të kushteve të kënaqshme të punës.

2 - Fletë pune 6: Rishikimi i rolit të mësuesit nga pikëpamja demokratike

Mësuesit duhet të drejtojnë dhe të shoqërojnë klasën. Kjo është detyra e tyre. Ata duhet të marrin vendime dhe të kontrollojnë gjithçka. Ajo çfarë mësuesit nuk duhet të bëjnë, është të kontrollojnë edhe procesin e të menduarit dhe të zhvillimit personal të nxënësve të tyre.  Në mënyrë të veçantë, në EQD/EDNJ, mësuesi bëhet model për nxënësit e tij. Si i trajton ai konfliktet? Cilat janë idetë që ai nxit dhe mbështet? Lista e mëposhtme ndihmon secilin për  të përcaktuar pozicionin e vet në lidhje me pyetjet e mësipërme. Megjithatë, nuk duhet  harruar që ky pozicionim varet edhe nga faktorë të tillë  si: situata e të mësuarit, gjendja personale, prania e rrezikut, krijimi i grupeve të nxënësve etj., të cilët mund të justifikojnë të qenit e mësuesit më shumë autokratik ose më shumë demokrat.  Në përgjithësi, duhet mbajtur parasysh fakti që: ideja ime si mësues për një person do të ndikojë në punën time të përditshme me nxënësit.

Përgjegjësi vetëm për grupin Përgjegjësi e përbashkët me dhe në grup
Më shumë autokratik

Situata e të nxënit

Unë

Më shumë demokratik
Sundues
Lider
Zë i mprehtë
Zë miqësor
Rregull
Ftesë, kërkesë
Pushtet
Ndikim
Presion
Sugjerim
Kërkesë për zbatim
Fitore për bashkëpunim
Imponim detyrash
Dhënie idesh
Sundon kriticizmi
Nxitje e shpeshtë
Ndëshkim i shpeshtë
Mbështetje e shpeshtë
Dëgjo mua
Le të bisedojmë
Unë vendos, t’i bindu
Unë propozoj dhe të ndihmoj ty të…
Sole responsibility
for the group
Shared responsibility
with and in the
group

 


2 - Fletë pune 7: Si të zhvilloj klimën demokratike në klasë?

Organizimi i klasës në mënyrë më demokratike lidhet me një qëllim të madh
Tabela e mëposhtme tregon hapat që mund të ndërmerren për këtë qëllim

  1. Cili është pozicioni im në çdo aspekt?
  2. Cilin prej aspekteve do të zgjedh për nesër, për pasnesër, për javën tjetër, për vitin tjetër?
  3. Si duhet të veproj, si mësues, për të bërë të mundur që shkolla ime të përfitojë nga progresi në të mësuar?
Objektiva afatshkurtër Objektiva afatmesëm Objektiva afatgjatë
Mësuesi pakëson përdorimin e shprehjeve të skajshme autoritariste Mësuesi zhvillon përdorimin e zakonshëm të shprehjeve të ndryshueshme Mirëkuptim i ndërsjellë ndërmjet nxënësve dhe mësuesit
Mësuesi shpjegon përzgjedhjen e lëndës dhe të materialeve mësimore Mësuesi ofron tema dhe material alternative Planifikim në bashkëpunim i mësimit nga nxënësit dhe mësuesi
Mësuesi u shpjegon nxënësve objektivat e të mësuarit Mësuesi paraqet objektiva alternativë të mësuari Përzgjedhje në bashkëpunim i objektivave të të mësuarit nga nxënësit dhe mësuesi
Mësuesi shpjegon arsyen e përzgjedhjes së metodave të mësimdhënies Mësuesi paraqet metoda alternative të mësimdhënies Vendimmarrje e përbashkët për metodat e mësimdhënies nga nxënësit dhe mësuesi
Mësuesi shpjegon arsyen e vendosjes së notave për arritjet e nxënësve Mësuesi shpjegon problemet e vendosjes së notave Vetëvlerësim nga nxënësit
Njohje me mënyrat demokratike të zgjidhjes së konflikteve Mësuesi pushon së përdoruri në mënyrë autoritariste pushtetin për të zgjidhur konfliktet Zgjidhje konflikti me anë të bashkëpunimit dhe komunikimit
Mësuesi shpjegon parimet e organizimit të punës në klasë Sugjerimet e nxënësve për organizimin e punës në klasë merren parasysh Nxënësit marrin pjesë në vendimet për organizimin e punës në klasë

 


2 - Fletë pune 8: Si të zhvillojmë shkollën si një komunitet demokratik

EQD/EDNJ dhe rruga për krijimin e një klime demokratike nuk duhet të realizohet vetëm në klasë. Ajo duhet të jetë objektiv i të gjithë shkollës.  Në këtë drejtim, roli qendror i takon drejtorit të saj. Në materialet e KE për EQD/EDNJ, instrumenti “Qeverisja demokratike e shkollës” sugjeron  katër fusha kryesore për të punuar dhe për të ndërmarrë hapat për kthimin e shkollës si një komunitet demokratik (shih Njësia 5 në këtë vëllim, fletët e punës 15-17)

Këto fusha janë:

  1. Qeverisja, lidershipi, menaxhimi i llogaridhënies publike
  2. Arsimi me në qendër vlerat
  3. Bashkëpunimi, komunikimi dhe përfshirja: konkurrenca dhe vetëvendosja
  4. Disiplina e nxënësve
Qeverisja, lidershipi,menaxhimi i llogaridhënies  publike

Vendimmarrës të ndryshëm si ligjvënës, borde të shkollave lokale, organizata sindikale, nxënës, prindër si dhe komunitete lokale shtrojnë kërkesa për lidershipin e shkollës. Si përmbushen këto nga drejtuesi i shkollës? Ç’lloj menaxhimi zbatohet në shkollën e tij ? A ngrihet lidershipi mbi konsensus dhe besim, apo karakterizohet nga mosbesimi dhe rivaliteti?  Si shpërndahen përgjegjësitë në shkollë? Si trajtohet diversiteti nga drejtuesi i shkollës? Si jep llogari shkolla përpara vendimmarrësve dhe të interesuarve të tjerë?

Arsimi me në qendër vlerat

Si shprehen  vlera të tilla si demokracia, të drejtat e njeriut dhe respekti për diversitetin  në kontestin formal dhe informal të shkollës? Si nxiten dhe zhvillohen vlerat dhe aftësitë shoqërore, si kusht i domosdoshëm për bashkekzistencën paqësore në një shoqëri moderne globale? Në ç’mënyrë mendon shkolla për këto vlera?

Bashkëpunimi, komunikimi dhe përfshirja: konkurrenca dhe vetëvendosja

Shkolla nuk është e shkëputur nga pjesa tjetër e shoqërisë ose nga bota reale. Si komunikon shkolla brenda dhe me mjedisin e jashtëm? Si bashkëpunon shkolla brenda saj dhe me botën e jashtme?  A ngjan shkolla me një kompani të izoluar, apo ajo ngjan me një derë që të lidh me pjesën tjetër të shoqërisë me anë të rrugëve dhe mënyrave të komunikimit dhe të përfshirjes. Sa e vendosur është shkolla për të zbatuar në praktikë objektivat e  saj, gjatë komunikimit dhe hapjes  me pjesën tjetër të shoqërisë?

Disiplina e nxënësve

Në shkollë punojnë shumë njerëz. Cilat janë forcat që duhet të përdoren në mënyrë që disiplina  dhe rregulli të ruhen edhe  në një shkollë të qeverisur në mënyrë demokratike? Çfarë i bën nxënësit të ndjekin rregullat e vendosura në shkollë dhe përse ndodh që, disa herë ata i kundërshtojnë ato? A nënkupton shkolla demokratike kaosin dhe mungesën e rregullave?