Kur një shkollë vendos t’i nënshtrohet një vetëvlerësimi, nevojitet një organizim i mirë. Në mënyrë ideale, duhet të ketë një person përgjegjës për drejtimin dhe mbajtjen e dokumentacionit të të gjithë procesit. Në shumicën e rasteve, ky do të jetë drejtori i shkollës ose një person tjetër i caktuar posaçërisht për këtë detyrë. Personi përgjegjës duhet të jetë i vetëdijshëm se drejtimi i këtij procesi kërkon shkalle të lartë koordinimi dhe lehtësimi, e jo thjesht një udhëheqje nga lart-poshtë. Siç është vënë në dukje në udhëzimet e vetë-vlerësimit të shkollave (Flete Pune 14), një proces i vetëvlerësimit nuk duhet të pengohet duke kërcënuar mësuesit ose nxënësit me aspekte të pushtetit ose kontrollit.
Për këtë arsye është e nevojshme qasja pjesëmarrëse dhe bashkëpunuese (Këshilli i Evropës, Qeverisja Demokratike e Shkollës, 2005, fq. 74).
Rekomandimet e mëposhtme përmbledhin faktet më të rëndësishme që lidhen me përfshirjen e aktorëve të ndryshëm.
Ngritja e një ekipi vlerësimi
Ekipi i vlerësimit mund të përbëhet nga shtatë deri në nëntë persona. Ky ekip mund të përfshijë drejtorin e shkollës, një ose dy mësues, një ose dy përfaqësues të nxënësve, këshilltararin shkollor (këtë rol mund ta luajë psikologu shkollor), një prind, një përfaqësues i bashkësisë lokale (ose përfaqësuesi i OJQ-së) dhe një përfaqësues nga një institut kërkimor ose institucion trajnimi mësuesish.
Detyrat e ekipit të vlerësimit janë si më poshtë (po aty, fq. 75f):
- të përgatisë mjetet e vlerësimit;
- të sigurojë trajnimin e stafit të shkollës në teknikat e vlerësimit dhe përdorimin e instrumenteve të vlerësimit në EQD/EDNJ;
- të sigurojë informacion dhe këshillim për vlerësuesit dhe palët e interesuara gjatë gjithë procesit;
- të monitorojë zbatimin e mjeteve të vlerësimit;
- të analizojnë dhe të interpretojnë gjetjet në bashkëpunim dhe konsultim me një gamë të gjerë të grupeve të interesit dhe ekspertëve të jashtëm;
- të përgatisë formularë të ndryshëm të raporteve për grupet e ndryshme të palëve të interesuara;
- të marrë dhe të analizojë komentet dhe sugjerimet e palëve të interesuara pas shqyrtimit të raporteve të tyre.
Shënim i rëndësishëm: në përgjithësi, mendimet e aktorëve të ndryshëm duhet të kërkohen dhe të krahasohen (për shembull, përmes pyetësorëve paralelë). Kryesore në këtë kontekst janë pikëpamjet e nxënësve në drejtim të përvetësimit të kompetencave të EQD/EDNJ, të tilla si: reflektimi, të menduarit kritik, përgjegjësia për përmirësimin dhe ndryshimin (po aty, fq. 77). Ajo që duhet të shqyrtohet nga ekipi i vlerësimit është dukuria e përgjigjeve “politikisht korrekte”, të dhëna nga nxënësit në kontekstin e mësimdhënies dhe shkollës. Nëpërmjet përcaktimit të qartë të metodave të përdorura, kjo mund të reduktohet deri diku (intervista për bashkëmoshatarët, pyetësorë shumë të hapur, emrat e fshehur etj.).