Mënyra të ndryshme të jetës
- Cilësitë vijuese janë të nevojshme në jetë: përmbajtja, zgjuarsia, drejtpeshimi i ekstremeve, miqësia, vetëkontrolli, disiplina, largpamësia, mirësjellja dhe respekti për traditat e caktuara.
- Çështjet kryesore në jetë janë: liria individuale dhe intelektuale, moskokëçarja ndaj interesave materiale dhe botës fizike.
- Vetitë më të rëndësishme janë: dhembshuria, dashuria, përkushtimi, kontrolli i pasioneve dhe interesave, çiltërsia me të tjerët. Nuk duhet pasur besim te zgjuarsia për keq, dëshira për pushtet dhe egoizmi.
- Të gëzosh jetën ka më tepër rëndësi se të ndryshosh botën; refuzimi etikës, i disiplinës dhe i vetëmohimit; nevoja për shoqëri, por me periudha vetmie.
- Individi duhet të identifikohet me grupin dhe të kërkojë miqësinë e tij. Të qenit i shoqërueshëm dhe veprimi janë të rëndësishme, ashtu sikundër hedhja poshtë e përsiatjes si abstraktim, për vetminë dhe interesat materiale. Parapëlqehen gjithmonë konkretizimi emocional pozitiv edhe kënaqësitë e përbashkëta.
- Individët duhet të kërkojnë të merren me veprimtari fizike të bollshme, eksplorimin e botës së vet dhe të shqisave praktike, parapëlqimin për punë, hedhjen poshtë të ëndrrave që i ngjallin mallin për të kaluarën, kundërshtimin e rehatisë dhe vetëkënaqësisë.
- Megjithëse ditët ndjekin njëra-tjetrën, ato janë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Paqëndrueshmëria dhe përshtatja janë kryesore, andaj njerëzit duhet të kenë dëshirën të gëzojnë çdo çast të rëndësishëm të jetës. Mbi të gjitha, mos bjerë skllav i një ideje të vetme.
- Kënaqësitë e thjeshta janë të rëndësishme: rehatia, miqësia, çlodhja, shëndeti i mirë, kundërshtimi i kënaqësive të forta e të ndërlikuara, hedhja poshtë e ambicies dhe fanatizmit.
- Çiltërsia dhe mendjemprehtësia janë të domosdoshme: kënaqësia dhe suksesi vijnë vetë; prit me qetësi dhe mendjemprehtësi.
- Njerëzit duhet të kenë vetëkontroll, por duhet të hapin sytë, të jenë të vetëdijshëm për fuqinë e të tjerëve dhe kufizimet e vetë njeriut. Ata duhet të jenë bujarë, por jo utopikë, dhe në jetë duhet të ecin me vetëkontroll dhe dinjitet.
- Shqyrtimi është i rëndësishëm. Bota është tepër e madhe dhe mjaft agresive. Jeta shpirtërore është thelbësore dhe ka përparësi mbi një botë të pavlerë dhe sipërfaqësore, që duhet të hidhet poshtë.
- Vëmendja duhet përqendruar te: veprimi, ekzekutimi, sfida, ndërtimi; trupi, duart, muskujt janë jeta e vërtetë. Maturia, rehatia dhe çlodhja duhen të hidhen poshtë.
- Qeniet njerëzore rrojnë për të shërbyer: t’u sjellësh dobi të tjerëve duke nxitur mbarëvajtjen e tyre vetjake. Jepu plotësisht pas botës; ji i përulur, i qëndrueshëm, besnik, i epshëm. Prano pa bërë pyetje, puno për sundimin e së Mirës.
|