Mësuesi, në asnjë mënyrë, nuk duhet të përpiqet të indoktrinojë nxënësit e tij për të pranuar një ide të dëshiruar, për shembull, nga pikëpamja e korrektësisë politike. Për këtë arsye, mësuesi nuk duhet t’u kërkojë nxënësve të heshtin ose të mbysë fjalën e tyre në emër të pushtetit më të lartë. Në të kundërt, nxënësit duhet të gjykojnë lirisht pa ndërhyrje ose pengesa. Çdo përpjekje nga mësuesi për të indoktrinuar nxënësit nuk përputhet me EQD/EDNJ dhe objektivit e edukimit të qytetarëve të aftë dhe me vullnetin për të marrë pjesë në një shoqëri të hapur dhe demokraci të lirë, pluraliste.
5.1.1 Zbatimet praktike
Mësuesi duhet të drejtojë diskutimet gjatë veprimtarisë së EQD/EDNJ, por nuk duhet të marrë pjesë në to. Nga ana tjetër, nëse nxënësit kërkojnë pikëpamjen e mësuesit në lidhje me çështjen në diskutim, ne këshillojmë që mësuesi ta shprehë atë. Nxënësit e dinë se mësuesi ka qëndrimin e tij politik, si çdo qytetar tjetër dhe, shpesh herë, ata janë të interesuar ta dëgjojnë atë. Atëherë, mësuesi duhet të bëjë të qartë se ai ose ajo nuk po shprehen në rolin e një profesionisti, por të një qytetari. Në fakt, nxënësi mund ta gjykojë si të çuditshëm qëndrimin neutral nga pikëpamja politike e një mësuesi të EQD/EDNJ, në një kohë që nxënësve u kërkohet ta shprehin atë vazhdimisht.
Një mësues i përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut mund të vuajë nëse një nxënës shpreh prirjen e tij ndaj racizmit, nacionalizmit ose të ndonjë lloj fondamentalizmi. Mësuesi duhet të shmangë përdorimin e pushtetit më të lartë ndaj nxënësit, por të përpiqet të kuptojnë përse një i ri ka përqafuar një linjë të tillë mendimi dhe të gjejë rrugët për të sfiduar nxënësit për të menduar ndryshe.