Nxënësit duhet të jenë të aftë të analizojnë një situatë politike dhe të dallojnë interesat e tyre për të gjetur rrugët dhe mjetet për të kthyer situatën në interes të tyre. Ky objektiv kërkon që nxënësit të pajisen me aftësi dhe kompetenca për të ndërmarrë veprime. Kjo mund të arrihet vetëm nëse merren parasysh edhe dy parime të tjera, ai i mos indoktrinimit dhe ai i diskutimit kundërshtues. Ky parim nuk duhet të shihet si nxitës i egoizmit dhe i heqjes dorë nga përgjegjësia. Çdo komunitet mbështetet në këto vlera, por e rëndësishme këtu është që mësuesi të mos pengojë nxënësit të ngrenë lart dhe të mbrojnë interesat e tyre, duke u kujtuar atyre vazhdimisht vetëm detyrat dhe përgjegjësitë.
5.3.1 Zbatim praktike
Shkolla është një shoqëri në miniaturë, ku nxënësit mësojnë si të marrin pjesë në të. Kjo mund të bëhet në disa mënyra. Mësuesi u jep nxënësve mundësinë të zgjedhin temat qëu interesojnë dhe të marrin pjesë në planifikimin e mësimit, në veprimtari të tilla si qeverisja demokratike e shkollës (të mësuarit përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut) si dhe në veprime konkrete.
Të mësuarit në bazë detyre dhe problemi ndihmon në zhvillimin e aftësive të nxënësve për gjykime dhe vendimmarrje të pavarura.