EQD/EDNJ dhe rruga për krijimin e një klime demokratike nuk duhet të realizohet vetëm në klasë. Ajo duhet të jetë objektiv i të gjithë shkollës. Në këtë drejtim, roli qendror i takon drejtorit të saj. Në materialet e KE për EQD/EDNJ, instrumenti “Qeverisja demokratike e shkollës” sugjeron katër fusha kryesore për të punuar dhe për të ndërmarrë hapat për kthimin e shkollës si një komunitet demokratik (shih Njësia 5 në këtë vëllim, fletët e punës 15-17)
Këto fusha janë:
- Qeverisja, lidershipi, menaxhimi i llogaridhënies publike
- Arsimi me në qendër vlerat
- Bashkëpunimi, komunikimi dhe përfshirja: konkurrenca dhe vetëvendosja
- Disiplina e nxënësve
Qeverisja, lidershipi,menaxhimi i llogaridhënies publike
Vendimmarrës të ndryshëm si ligjvënës, borde të shkollave lokale, organizata sindikale, nxënës, prindër si dhe komunitete lokale shtrojnë kërkesa për lidershipin e shkollës. Si përmbushen këto nga drejtuesi i shkollës? Ç’lloj menaxhimi zbatohet në shkollën e tij ? A ngrihet lidershipi mbi konsensus dhe besim, apo karakterizohet nga mosbesimi dhe rivaliteti? Si shpërndahen përgjegjësitë në shkollë? Si trajtohet diversiteti nga drejtuesi i shkollës? Si jep llogari shkolla përpara vendimmarrësve dhe të interesuarve të tjerë?
Arsimi me në qendër vlerat
Si shprehen vlera të tilla si demokracia, të drejtat e njeriut dhe respekti për diversitetin në kontestin formal dhe informal të shkollës? Si nxiten dhe zhvillohen vlerat dhe aftësitë shoqërore, si kusht i domosdoshëm për bashkekzistencën paqësore në një shoqëri moderne globale? Në ç’mënyrë mendon shkolla për këto vlera?
Bashkëpunimi, komunikimi dhe përfshirja: konkurrenca dhe vetëvendosja
Shkolla nuk është e shkëputur nga pjesa tjetër e shoqërisë ose nga bota reale. Si komunikon shkolla brenda dhe me mjedisin e jashtëm? Si bashkëpunon shkolla brenda saj dhe me botën e jashtme? A ngjan shkolla me një kompani të izoluar, apo ajo ngjan me një derë që të lidh me pjesën tjetër të shoqërisë me anë të rrugëve dhe mënyrave të komunikimit dhe të përfshirjes. Sa e vendosur është shkolla për të zbatuar në praktikë objektivat e saj, gjatë komunikimit dhe hapjes me pjesën tjetër të shoqërisë?
Disiplina e nxënësve
Në shkollë punojnë shumë njerëz. Cilat janë forcat që duhet të përdoren në mënyrë që disiplina dhe rregulli të ruhen edhe në një shkollë të qeverisur në mënyrë demokratike? Çfarë i bën nxënësit të ndjekin rregullat e vendosura në shkollë dhe përse ndodh që, disa herë ata i kundërshtojnë ato? A nënkupton shkolla demokratike kaosin dhe mungesën e rregullave?