Çfarë lloje rregullash janë të nevojshme për të mësuar, jetuar dhe luajtur së bashku në shkollë?
Objektivat e mësimit | Nxënësit reflektojnë për qëndrimet dhe besimin e tyre vetjake në lidhje me rregullat ekzistuese, diskutojnë rëndësinë e ekzistencës së rregullave për të jetuar dhe punuar së bashku dhe zhvillojnë kuptimin e domosdoshmërisë së rregullave. |
Detyrat e nxënësve | Nxënësit marrin pjesë në një lojë simulimi dhe përjetojnë funksionimin e rregullave. Ata listojnë dhe ndajnë midis tyre idetë në lidhje me nevojën e rregullave. Nxënësit përputhin rregullat e shkollës me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shkollë. |
Burimet | Topa të butë, tabelë, lapsa, lista e rregullave të shkollës. |
Metodat | Punë në grupe, diskutim plenar, punë në çifte. |
Përshkrimi i mësimit
Klasa luan lojën “Hamendëso rregullat e mia”. Mësuesi e ndan klasën në dy grupe dhe u shpjegon nxënësve se ata do të luajnë një lojë dhe të hamendësojnë rregullat.
Shpjegim:
- Çdo ekip mund të bëjë një gol duke shënuar me top në hapësirën e shënuar;
- Vetëm mësuesi i di rregullat;
- Mësuesi nuk i shpjegon rregullat dhe nxënësit nuk mund të pyesin cilat janë ato;
- Kur thyejnë një rregull, nxënësit duhet të ulen;
- Qëllimi i lojës është që nxënësit të shënojnë gol pa thyer rregullat; nxënësit kanë për detyrë që të zbulojnë e të kuptojnë se cilat janë rregullat që të mos i thyejnë.
Rregullat janë:
- Të gjithë mund të luajnë në lojë.
- Vetëm djemtë mund të gjuajnë topin me këmbë.
- Nxënësit, të cilit i fillon emri me shkronjën “A” nuk mund të vrapojë.
- Askujt nuk i lejohet të lëvizë me top.
- Dhuna është e lejuar.
Dy minutat e para të lojës luhen duke u përdorur vetëm dy rregullat e parë. Pastaj, mësuesi përfshin edhe rregullat e tjera dhe e gjithë loja zgjat rreth pesë minuta.
Pasi loja përfundon, mësuesi i mbledh nxënësit dhe diskuton pikat e mëposhtme me ta:
- Çfarë mendoni për lojën? A ishte e mirë? E keqe? E drejtë?
- Si mësuat për ekzistencën e disa rregullave?
- Çfarë ndjesish u krijoi mosnjohja e rregullave?
Mësuesi regjistron përgjigjet e nxënësve në tabelë ose në dërrasën e zezë. Pyetja kryesore është “Pse kemi nevojë për rregulla në shkollë?” Mësuesi mund të shkruajë diçka në tabelë ose në dërrasën e zezë, në varësi të përgjigjeve. Kriteri kryesor në lidhje me “barazinë”, “pjesëmarrjen”, “drejtësinë” dhe “respektin” duhet të jetë i pranishëm në dërrasën e zezë, në fund të seancës mësimore. Mësuesi shënon rezultatet për t’i përdorur në mësimin 4.
Në shkollë mund të ketë rregulla vetëm nëse nxënësit kanë të drejta dhe përgjegjësi. Nxënësve u jepet detyra që të rendisin të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shkollë dhe, më pas, t’i krahasojnë ato me rregullat e shkollës. Nxënësit punojnë në çifte dhe shkruajnë të drejtat, përgjegjësitë dhe rregullat në letrat në dispozicion. Ata i shfaqin letrat e tyre në tabelë ose në dërrasën e zezë.
Pasi të gjitha letrat janë vendosur në të, nxënësit i hedhin një vështrim tabelës dhe mund të bëjnë pyetje për shokët e klasës.