Objektivat mësimore |
Nxënësit mund të bëjnë dallimin midis koncepteve të pushtetit dhe nëntekstit për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Nxënësit zhvillojnë të dëgjuarit aktiv (mësimdhënia përmes të drejtave të njeriut). |
Burimet |
Komplet me shënime të shtypura për nxënësit: «Shpallje mbi pushtetin dhe qeverisjen». |
Procedura
- Nxënësit ndahen në çifte. Ata studiojnë citimet dhe vendosin se me cilat ndajnë të njëjtin mendim.
- Ata shkruajnë arsyet që e mbështetin një shpallje të caktuar.
- Çiftet paraqitin rezultatet e tyre në klasë.
- Nxënësit identifikojnë shkollat themelore të mendimit politik; mësuesi përdor përfundimet dhe diskutimin në klasë për t’i njohur nxënësit me qasjet (e zgjedhura) e mendimit politik (qasja induktive, që lejon përdorimin e metodave të ndryshme – leksionet e mësuesit e ndoshta vetë nxënësit; studimi i fragmenteve).
Zgjerim
Nxënësit reflektojnë për sistemet e vlerave të tyre individuale.
Nxënësit i lidhin idetë politike me politikat e partive dhe drejtuesve politikë në vendin e tyre.
Materialet
Fletë pune për nxënësit
Citime për pushtetin e qeverinë
- Roli i drejtuesit në qeveri është mjaft i rëndësishëm e i pazëvendësueshëm.
- Pushteti tjetërson dhe duhet zhdukur për t’i dhënë mundësi çdo personi të kuptojë potencialin e tij të plotë.
- Kombet kanë vetëm një armik të rrezikshëm: qeverinë e vet.
- Pushteti politik duhet të ushtrohet nga njerëz të zgjedhur prej qytetarëve.
- Partitë politike janë të dëmshme për fuqinë e shtetit për shkak se ato i ndajnë njerëzit dhe shkaktojnë përplasje të kota.
- Shteti nuk është një grumbull i thjeshtë individësh; ai është një realitet më i lartë dhe më thelbësor se shuma e individëve.
- Të gjitha format e pushtetit kanë prirjen të bëhen totalitare.
- Shteti nuk është një qëllim në vetvete, por mjet i domosdoshëm për plotësimin e aspiratave të individit.
- Shteti është një varrezë e stërmadhe, ku marrin fund të gjitha shprehjet e jetës individuale.
- Grevat duhen ndaluar ngaqë përbëjnë sfidë për pushtetin.
- Individët ekzistojnë vetëm për shtetin dhe, jashtë tij, janë asgjë.
- Të rinjtë duhet të marrin pjesë në vendimet që i prekin ata.
- Për lirinë do të mund të flasim vetëm kur shteti të pushojë së ekzistuari.
- Mësuesi duhet të marrë parasysh kërkesat e ligjshme të nxënësve të tij.
- Qenieve njerëzore u vjen natyrshëm të bëjnë mirë; ne gjithmonë duhet të kemi besim tek ta.
- Pjesëmarrja në pushtet e të gjithë individëve duhet të jetë parim themelor i organizimit të të gjitha bashkësive njerëzore.
- Partitë politike duhet të bëjnë të mundur që aspiratat e qytetarëve të ndikojnë në vendimet e qeverisë.
- Qeniet njerëzore, nëse lihen pa kontroll, do ta vritnin njëri-tjetrin.
- Pushteti politik nuk duhet të jetë në mëshirën e opinionit publik.
- Qeniet njerëzore gëzojnë të drejta që pushteti duhet t’i nderojë dhe nxitë.
|
5. Përshtatur nga Claude Paris, Ethique et Politique, botimet e C.G., Kebek, 1985.